Gjithë Opoja në një vend...

Mirë se vini, regjistrohuni për të qenë aktiv në debatet që zhvillohën në forum.

Opoja forum.

    Mehmet Kukli Begu-Pushtetari i parë i sundimit osman në Opojë

    Share

    Admin
    Admin

    Numri i postimeve : 7
    Join date : 04/02/2011

    Mehmet Kukli Begu-Pushtetari i parë i sundimit osman në Opojë

    Mesazh  Admin prej Wed Apr 13, 2011 9:02 am

    Mehmet Kukli Begu, në historiografinë opojane njihet si legator (vakëflënës). Ai në gjysmën e parë të shekullit XVI, në Opojë, veproi si pushtetari më i madh dhe më i rëndësishmi i trevës shqiptare, në fshatin Bresanë e Begaj të Opojës, që njëherit ishte dhe dijetari me më ndikim në mjedisin jetësor që nga Shkodra deri në Bosnje, Prizreni e Opoja. Kulkli Begu, ishte udhëheqës i komunitetit islam në Opojë dhe mecen në zhvillimin ekonomike, kulturore dhe arsimore të kësaj treve.

    Përshpirtënimet e Kukliut, mund të maten me ato të Husrev begut dhe Isa begut, por aq pak është shkruar për këtë legator, sa që ka mbetur i panjohur. [1] Madje as Vakëfnameja e tij, e cila paraqet pa dyshim dokumentin osman më të rëndësishëm për Prizrenin dhe Opojën, nga gjysma e parë e shek. XVI, deri me sot nuk është botuar.[2]
    Legata e tij përfshinte një sërë objektesh sakrale dhe profane: xhami, teqe, shkolla, biblioteka, hamame, karavansaraje, ura, dyqane, mullinj, shumë troje tokash, male, një pjesë e pakët e tyre janë ruajtur deri në ditët tona.[3]

    Për të mësuar më shumë për Mehmet Kukli Beut, do të pasqyrojmë në tërësi shkrimin nga kronika (Menakib), shkruar nga Tahir Efendiu, që është një dorëshkrim autograf, që ruhet në Bibliotekën e Bashkësisë Islame të Prizrenit, shkruar me shkrim arab i formës ta’lik, duktus.

    Quhet Mehmet beg i njohur me ofiqin Kukli,
    ndërtoi xhaminë më të mrekullueshme në mes të qytetit tonë [4]
    Atë e gjallëroi me shumë vakëfe të pasura,
    dhe zgjeroi furnizimet e nëpunësve tanë [5]
    Është bërë vali nga Selaniku deri në Bosnjë,
    sundonte dhe njerëzit i nënshtroheshin si robër.
    Fëmijët i vdiqën për se gjalli,
    Ndaj robërve ka treguar butësi siç e bëjmë me fëmijët tanë.
    Një pjesë të gjakut e kishte njërin prind në vijë sulltanore,
    por nuk la pasardhës që ta dëshmojmë këtë lidhje. [6]


    Biografia e Mehmed beut ‑ vali që nga qyteti i Shkodrës
    në Perëndim e deri në Bosnjë në veri



    Kuklibegu s’dihet ku, u lind, s’dihet as datëlindja, përardhja, arsimimi dhe familja e tij. Mu për këtë çështje ka ndikuar që disa studiues të japin mendime personale, jobindëse, duke hamendur vendlindjen e tij në Azi të Vogël ose në Rusi. Të parët që dhanë mendimet e tyre për Kukliun dhe origjinën e tij, ishin disa autorë sllavë si: I. Jastrbov,[7] M. Llutovac,[8] M. Aksentije, P. Sreçkoviq,[9] që ata ishin në shërbim të politikës ditore ruse e serbe të deklaruara dhe te disponuar armiq të shqiptarëve dhe jo të shkencës. Ata shtrembërojnë dhe falsifikojnë historinë në favor të shtetit serb.

    Mehmed Tahir Efendiu, bëri përpjekje të parë si studiues shqiptar, në Menakib kronikë e tij .[10] Por të dhëna të rëndësishme na jep edhe vakufnameja e Kukli-Begut,[11] “Veprat e arkitekturës osmane,”[12] etj.

    Jastrebovi konsul rus në Prizren, konsideron se Kukli begun si njëri nga pushtuesit e Prizrenit, i cili ishte dalluar në luftën e qytetit të Prizrenit, ku fitoi shumë pasuri.[13] Kurse Lutovaci për atë shkruan se ishte:
    Legeni dhe gjygymi i Mehemt Kuli Begut, pronë e Salajdin Refikut



    feudal i madh dhe pushtues osman.[14] Se sa ishin të ngarkuar me shovinizëm këta shkencëtarë sllavë, kur me vëmendje shikohen faktet. Kukli begu, ka vdekur me 963 (më 16 nëntor të vitit 1555).[15] Kurse dihet se Prizreni pushtohet nga turqit, më 1455. Andaj nuk kanë kurrfarë logjike as bazë shkencore konstatimet e tyre, që kur krahasohet viti i vdekjes së Kukli begut dhe viti i pushtimit të Prizrenit, kuptohet se në mes janë 100 vjet largësi.

    Nehat Krasniqi, për çështjen e origjinës së Mehmet Begut, shkruan: jeta, vepra dhe paraardhësit e tij, si dhe vetë mbiemri “Kuk-li”, na ndihmojnë të saktësojmë origjinën e tij, opojane. [16]

    Sundimi i Mehmet Kukli-Begu, në këto troje shtrihej në periudhat e mbretërimit të Sulltan Bajazidit II (1481-1512), Sulltan Selimit I (1512-1520) dhe të Sulltan Sylejman Kanuniut (1520-1566). Por pjesa më e mirë e sundimit të tij, ishte koha e mbretërimit të Sulltan Sylejman Ligjdhënësit, kur Kukliu, ngjitet në pozitën më të lartë të hierarkisë feudalo-ushtarake osmane, kur e legalizoi edhe legatën e vet.[17]

    Mehmet Kukli–Begu ishte djali i Hajrudinit dhe nipi i Iljaz Kukës. Babai i Kukliut, përmendet edhe më emrin Hëzër, meqë në atë kohë ishte krejt e zakonshme që njerëzit të mbajnë edhe nga dy emra, të cilët plotësonin kuptimin e njëri–tjetrit. P. sh.: emrin Hajrudin, në literaturën osmane e gjejmë të shkruar: Barbaros Hajrudin–Hëzër Pasha.[18] Hajrudinin e përmend Ekrem Haki Ajverdi, dhe na informon se Hajrudini, i biri i Iljazit, ndërtoi në Jeni Pazar një xhami dhe një mekteb (shkollë).

    Iljaz Kuka, gjyshi i Kukliut, përmendet nga poeti dhe myderrizi prizrenas, Suziu, më 1513, në vakufnamen e vet. Lagjja ku themeloi legatën e tij, sipas Suziut, mori emrin Iljaz Kuka. Meqë lagjet e qyteteve atë kohë kanë marrë emrin në bazë të xhamive, ose nga themeluesit e tyre, kështu nënkuptohet se Iljaz Kuka, ka vakëfuar së paku një xhami në Prizren. Iljaz Kuka jetoi në kohën e sundimit të fundit të Prizrenit nga Sulltan Mehmet Fatihu (më 21 qershor 1455). Ajverdi për Iljaz Kukën, shkruan se ka qenë një nga içogllanët e Fatihut, që d. m. th., se si djalosh i krishtër merret devshirme, dhe edukohet në pallatin e sulltanit. Por pas pushtimit të Prizrenit, sipas këtij autori, Iljaz Kuka mbajti pozita të ndryshme.

    Kukli begu një kohë të gjatë jetoi në Prizren dhe Opojë, meqenëse kasabanë e atëhershme, në Zinovë, ndërtoi sarajin e vet, xhaminë, teqenë, tyrben dhe ujësjellësin.[19] Po të krahasohej kjo del se Kukliu begu ka jetuar në kasabanë–Zinovë, të dhënat e defterit, më 1571, ku për Zinovën thuhet se ishte fshat dhe nga taksat e mbledhura nga administrata turke, bënte pjesë në fshatrat më të vogla të Opojës.

    Kukli begu, përpos shtëpisë që kishte, në një kodër, gjysmë kilometri larg Bresanës së sotme, nga mund të vështrohej pjesa më e madhe e Opojës, ndërtoi Sarajin e Kukli Begut, kroin e Kukli begu. Më vonë aty ndërtohet edhe disa shtëpi, dhe në fund shndërrohet në fshat, që merr emrin e këtij beut opojan, Kukli-beg.

    Kukli–Begu në Opojë, ka vakëfuar: 1 mejtep (shkollë), 1 xhami, 1 mesxhid, 1 karavansaraj, 1 hamam dhe 1 krua. Nga këto përshpirtdhurata deri sot janë ruajtur xhamia dhe kroi, Çeshmja e sarajit. Ndërsa mesxhidit e namazxhahut i kanë mbetur vetëm themelet. Hamami nuk është ruajtur, por dihet vendi se ku ishte ai.

    Ai ka vakëfnuar, katër mullinj në dy ndërtesa, që gjenden në fshatin Rapçë, në kadillëkun Hasllar, i fshat qe gjendej në nahinë e Opojës.[20]

    Ndërsa në kasabanë e Zinovës në kadillëkun Hasler, ka vakëfnuar dhe përshpirtënuar ndërtimin e hamamit.[21]

    Një kujdes të veçantë Kukli begu i kushtoi edhe edukimit arsimore, i cili në një aneks të xhamisë së tij hapi mejtepin (shkollën), para vitit 1538, dhe siguroi mësuesin dhe repetitorin (asistentin), për fëmijët e kësaj trevë. Mësuesit i caktoi dhe i garantoi nga pasuria e tij 2 akçe në ditë. Shkolla ishte në të djathtë të hyrjes së xhamisë, përballë Tyrbes së Kukliut. Sipas një shënimi të G. Elezoviqit, i cili ka vizituar objektet e Mehmet Begut, më 1932, mbi derën e kësaj shkolle paskësh qenë mbishkrimi i daltuar në pllakë mermeri, i vendosur me rastin e renovimit të shkollës në vitin 1870. Fatkeqësisht, edhe ky mbishkrim është zhdukur.

    Kjo shkollë, njëherësh ka kryer edhe funksionin e bibliotekës. Aty janë vendosur vëllime dorëshkrimesh të ndryshme, të cilat i kanë shfrytëzuar jo vetëm mësuesit, por edhe të interesuarit e tjerë. Sipas shënimeve të G. Elezoviq, njëri nga dorëshkrimet e kësaj biblioteke që janë ruajtur deri në kohën kur ky kishte vizituar këtë objekt, ishte shkruar nga njëfarë Ibrahim Hamza, më 1585. Sipas Elezoviqit këtu ka pasur edhe vepra që kanë arritur nga vise të huaja. Një vepër e tillë është kopjuar në Tuzllë të Epërme, më 1835. Në këtë bibliotekë është ruajtur edhe një Kur’an, në dorëshkrim, të cilin e ka vakëfuar vet Mehmet Kukli – Begu. Këtyre dorëshkrimeve të kësaj biblioteke, nuk u dihet fati.

    Mehmet Kukli–Begu, i ndërgjegjshëm për rëndësinë e punës intelektuale, kërkoi decidivisht në vakufname që mësuesi, imami, vaizi, etj., të mos merren me punë bujqësie (fizike), në të kundërtën urdhëroi që të largohen nga puna. Në saraj (pallat), Mehmet Begu kishte nëpunës të ndryshëm, që disa nga ata, sipas shembullit të patronit të tyre, lanë vakëfe (legate) të ndryshme. Atabeu i Kukliut, Ibrahim Geg Begzadja, që ishte përgjegjës për edukimin e fëmijëve të tij, vakëfoi një xhami në Prizren. Mehmet Tahir Efendiu, për Begzaden shkruan se ka qenë vendës. Kukliu në saraj mbante edhe rrobaqepësin, Terzi Memishin, që ka vakëfuar xhaminë e njohur të Terzi–mahallës në Prizren. Kukliu, në sarajin e vet ka pasur edhe veteriner, që quhej Haxhi Kasimi, që vakëfoi një xhami në Prizren. Kështu Kukliu në saraj pati edhe nëpunës dhe ndihmës të tjerë.

    Në vitin 950/H (1543), Kukli Begu ndërtoi xhaminë e Iljaz Kukës, që ky i fundit ishte gjyshi i Kulibegut.[22]

    Djemtë e Kukliut, vdiqën sa ishte vetë gjallë. Kurse vajza së bashku me burrin ndërtuan ujësjellësin e Prizrenit.

    Me ndërtimin e 14 karavansarajeve dhe 167 dyqaneve të ndryshme e të depove e hambarëve Mehmet Kukli–Begu, shtytë zhvillimin e tregtisë dhe ekonomisë, pothuaj, në në mbarë Shqipërinë Veriore, qe nga Lezha, Shkodra, Prizreni, Tetova, Shkupi e matej. Ndërkaq, karavansaraji që Kukliu ndërtoi në Zinovën e atëhershme, paraqet një moment të rëndësishëm për zhvillimin e tregtisë dhe të ekonomisë në Opojë.

    Shumica e objekteve të Kukliut, nuk i bënë ballë dhëmbit të kohës. Herë pas here rrënime bënin edhe ndonjë dorë shkatërrimtar. Prishjen më të rëndë, objektet e Kukliut pësuan në luftën austro – turke, kur e gjeneralit austriak Pikolomini, pasi hyri në Prizren në nëntorin e 1689-ës, shkatërroi varrin e Kukliut, mbishkrimi i thyer i varrit të cilit ruhet si dëshmi.

    Fundin e jetës Kukliu e kaloi në saraj. Siç merret vesh tërthorazi nga një burim ai, atëherë ishte në armiqësi me sulltanin,[23] por arsyet nuk i dihen, andaj, për shkaqe sigurie hapi rrugë nëntokësore (tunel), nga saraji në xhami e gjetiu. Gjurmët e tyre edhe sot vërehen.

    Mehmet Kukli Beu, për Opojë dhe historinë e saj, do të jetë një personalitet i shquar, ngase vepra e tij, fisnikëroj dhe prosperoj këtë krahinë të varfër.



    Mr.sc. Muharrem Qafleshi

    [1] Hasan Kaleshi dhe Ismail Rexhepi, Kukli Begu dhe Vakëfnimet e tij, Edukata Islame nr. 83, f. 201.

    [2] Po aty, f. 201.

    [3] Nehat Krasniqi, Mehmet Kukli-Begu – Legator më miritor për zhvillimin ekonomik dhe kulturo-arsimor të Opojës në shek. XVI, “Penda” nr. 1, Revistë periodike shkencore, letrare dhe kulturore, Dragash, 1995, f. 11.
    [4] Viti i ndërtimit të xhamisë është 941 H./1534‑5.

    [5] Viti i vdekjes është 963 H./1556.
    [6] Shqipëroi: Nehat Krasniqi. (Shënimi sipas: Edukata Islame, nr. 57, 1995, Prishtinë, fq. 59 – 76).

    [7] I. Jastrebov, Sinan – Paða i Kukli-beg, Glasnik SUD XLIII, Beograd 1876, fq. 1-51; Stara Srbija i Albanija, Spomenik SAN XLI, Beograd 1904.

    [8] M. Lutovac, Gora i Opolje, Antropogeografska istraþivanja, Srpski Etnografski zbornik, knj 69, Beograd 1955.

    [9] Hasan Kaleshi, Najstariji vakufski dokumenti u Jugoslaviji na arapskom jeziku, Prishtinë 1972, fq. 265-266.

    [10] Nehat Krasniqi, Kronika (Menâkib) e Tahir Efendiut – burim i rëndësishëm për historinë e kulturës në Prizren gjatë periudhës turko-osmane, Në: Edukata Islame nr. 57, Prishtinë 1995, fq. 59-113.

    [11] Hasan Kaleshi, Ismail Redþep, Prizrenac Kukli Beg i njegove zaduþbine, në: Prilozi za orjentalnu filologiju, VIII- IX, Sarajevo 1960, fq. 143-167.

    [12] Ekrem Hakki Ayverdi, Osmanli mimari eserleli, II cild 3 kitab, Istanbul 1981

    [13] Jastrebov, Sinan pasha dhe Kukliu, Glanik Srpskog uçenog drustva, XXXIII, Beograd, 1876, f.22.

    [14] M. Lutovac, Gora i Opolje, antropografska istrazivanja. “Srpsko etnografski zbornik”, 1/69,Beograd, 1955,f. 31, 48.

    [15] Hasan Kaleshi dhe Ismail Rexhepi, Kukli begu dhe vakëfnimet e tij, Edukat Islame, nr. 83f.202.

    [16] Nehat Krasniqi,Mehmet Kukli-Begu – Legator më miritor për zhvillimin ekonomik dhe kulturo-arsimor të Opojës në shek. XVI, “Penda” nr. 1, Revistë periodike shkencore, letrare dhe kulturore, Dragash, 1995, f.11.

    [17] Po aty, f. 11.

    [18] Po aty, f. 11.

    [19] Hasan Kaleshi dhe Ismail Rexhepi, Kukli begu dhe vakëfnimet e tij, Edukata Islame nr. 83, f. 203.

    [20] H. Kaleshi dhe Ismail Rexhepi, punimi cituar, f. 215.

    [21] Po aty, f.214.

    [22] Maliq Osi, Prizreni qytet i lashtë, muze me thesar të pasur kulturor, Prizren, 2001, f. 65.

    [23] Sreèkoviã, Sinan Paða, Beograd 1685, Cituar sipas Hasan Kaleshi, Najstariji vakufski dok. fq. 265 – 266.

      Ora është Sun Dec 04, 2016 3:16 pm